Secondary Adv

Hyrja në SEPA, transfertat ndërkombëtare u rritën 29 për qind për tremujorin e parë

Transfertat ndërkombëtare të klientëve të bankave shqiptare u rritën ndjeshëm në tremujorin e parë të 2026, të mbështetura nga anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, gjatë tre muajve të parë të vitit klientët e sektorit bankar kryen 1.051 milionë transferta jashtë vendit, duke regjistruar një rritje prej 28.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Rritja ka qenë e dukshme si për individët ashtu edhe për bizneset. Individët kryen rreth 893 mijë transferta ndërkombëtare, ose 29 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkohë bizneset realizuan 159 mijë transferta, me një rritje prej 24 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.

 

Rritje edhe në vlerën e pagesave

Përveç numrit të transfertave, është rritur ndjeshëm edhe vlera e tyre. Shuma totale e transfertave ndërkombëtare të nisura nga klientët e bankave shqiptare arriti në 280.6 miliardë lekë, ose 12.5 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Sipas ekspertëve, kjo rritje lidhet me zgjerimin e veprimtarisë ekonomike, rritjen e përdorimit të shërbimeve bankare dhe ndikimin pozitiv të anëtarësimit të Shqipërisë në SEPA, që ka ulur ndjeshëm kostot e pagesave ndërkombëtare në euro.

 

Komisione më të ulëta pas hyrjes në SEPA

Hyrja në SEPA ka sjellë ndryshime të rëndësishme për përdoruesit shqiptarë të shërbimeve bankare. Sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, komisionet për transfertat ndërkombëtare në euro përmes SEPA-s janë kufizuar në nivele të ngjashme me ato të transfertave kombëtare.

 

Komisioni minimal për transfertat në euro të kryera përmes shërbimeve elektronike bankare nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro. Për transfertat deri në 100 mijë euro të realizuara me e-banking, komisioni maksimal nuk mund të kalojë 0.01 për qind të shumës së transferuar, që do të thotë se për një transfertë prej 100 mijë eurosh tarifa maksimale është 10 euro.

 

Për transfertat e kryera fizikisht në degët bankare, komisioni maksimal është 0.02 për qind e vlerës së transferuar. Për shumat mbi 100 mijë euro, tavani maksimal i komisioneve është 25 euro për transfertat elektronike dhe 50 euro për ato të kryera në degë.

 

Pagesa më të shpejta dhe më pak kosto

Shqipëria u pranua zyrtarisht në SEPA më 21 nëntor 2024 nga Këshilli Europian i Pagesave. Para këtij integrimi, transfertat ndërkombëtare realizoheshin përmes bankave korrespondente jashtë vendit, një procedurë që shoqërohej me kosto më të larta dhe kohë më të gjata për përpunimin e pagesave.

 

Anëtarësimi në SEPA ka krijuar mundësi për transferta më të shpejta, më të lira dhe më efikase për individët dhe bizneset shqiptare, duke lehtësuar marrëdhëniet financiare me vendet europiane dhe duke nxitur përdorimin e kanaleve bankare për pagesat ndërkombëtare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat